“Kosova u prezantua me fusnotë në Tiranë”, zv.ministri i Financave largohet nga konferenca

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 14 Prill, 2025

Komente


“Kosova u prezantua me fusnotë në Tiranë”, zv.ministri i Financave largohet nga konferenca

Qeveria e Shqipërisë është përfshirë në një ‘skandal diplomatik’ gjatë një konference rajonale të nivelit të lartë që u mbajt javën e kaluar në Tiranë, ku pjesëmarrëse ishte edhe Kosova.

Ndryshe nga shtetet e tjera, Kosova ishte prezantuar me fusnotë që i referohej Rezolutës 1244 të OKB-së – një formulim i papranueshëm për palën kosovare.



Si reagim ndaj kësaj mënyre përfaqësimi, zëvendësministri në detyrë i Financave të Kosovës, Agon Doburuna, braktisi konferencën në shenjë proteste.



Në një postim në Facebook, Doburuna tha se ishte i detyruar të largohej nga ngjarja dhe të refuzonte nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit, për shkak të, siç e cilësoi ai, “trajtimit të papranueshëm të Republikës së Kosovës.”

“Mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese,” shkroi Doburuna.

Sipas tij, kërkesa për korrigjimin e këtij përfaqësimi u injorua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë – organizatore e konferencës – duke cenuar frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë që kjo konferencë synonte të promovonte.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon, por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror,” theksoi Doburuna në reagimin e tij publik.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj